Një valë rekord të nxehti ka përfshirë Australinë juglindore për të pestën ditë radhazi, duke shkaktuar zjarre në shkurre, ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike dhe rrezik të shtuar për popullsinë.

Situata është veçanërisht kritike në shtetin e Victorias, i dyti më i populluar në Australi, ku po regjistrohen temperaturat më të larta që nga zjarret shkatërruese të “Së Shtunës së Zezë” në vitin 2009, kur humbën jetën 173 persona, raporton Reuters.

Autoritetet paralajmërojnë se vala e të nxehtit nuk pritet të qetësohet para fundjavës. Paralajmërimet për nxehtësi ekstreme mbeten në fuqi, ndërsa shërbimet emergjente janë në gatishmëri të plotë.

“Jemi tashmë në ditën e pestë të një vale intensive të nxehti në Victoria dhe po shohim pasojat e saj. Presim gjithsej tetë ditë me intensitet të rëndë deri ekstrem,” deklaroi Komisioneri i Emergjencave të Victorias, Tim Wibusch.

Sipas Byrosë Australiane të Meteorologjisë, vala e nxehtësisë lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Meteorologu David Croke i përshkroi temperaturat si “shumë të pazakonta” dhe theksoi se intensiteti i kësaj vale është i krahasueshëm me valët e të nxehtit të viteve 2009 dhe 1939.

“Të dhënat tregojnë një rritje afatgjatë të shpeshtësisë dhe intensitetit të valëve të nxehtit, veçanërisht që nga viti 2000, si pasojë e ndryshimeve klimatike,” shtoi Croke.

Gjatë ditës së djeshme, në Victoria u thyen dhjetëra rekorde temperaturash, me rreth 20 stacione meteorologjike që regjistruan vlera rekord absolute ose thyen rekordet e muajit janar.