Ski Qendra “Kodra e Diellit” ka njoftuar opinionin publik se një person ka hyrë pa leje me motor me katër rrota (ATV) në pistat e skijimit, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke shkaktuar dëmtime në pista.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti është regjistruar edhe në video, e cila është shpërndarë në rrjete sociale, ku shihet personi duke bërë “drift” në zonat e destinuara ekskluzivisht për skijim. Nga Ski Qendra theksojnë se ky veprim është i papërgjegjshëm, i ndaluar rreptësisht dhe paraqet rrezik serioz për sigurinë e vizitorëve dhe skijuesve.

“Personat e përfshirë do të paraqiten në polici dhe në organet kompetente për procedura të mëtejshme ligjore. Në të gjithë territorin e ski qendrës janë të vendosura tabela të qarta ndalimi, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë”, thuhet në reagimin e Ski Qendrës “Kodra e Diellit”.

Nga qendra bëjnë të ditur se qarkullimi me motora, ATV apo mjete të tjera motorike nëpër pistat e skijimit është rreptësisht i ndaluar. Ata paralajmërojnë se çdo rast i ngjashëm në të ardhmen do të dokumentohet dhe do të publikohet në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale, përfshirë edhe identitetin e personave përgjegjës.