Parlamenti francez miratoi mbrëmë një projektligj që synon të ndalojë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, si masë për mbrojtjen e shëndetit mendor të të miturve. Projektligji gëzon mbështetjen e qeverisë dhe të presidentit Emmanuel Macron, i cili e cilësoi vendimin si “një hap të rëndësishëm”.

“Truri i fëmijëve tanë nuk është në shitje. As në platformat amerikane, as në rrjetet kineze”, deklaroi Macron, duke përshëndetur iniciativën. Projektligji u miratua me 130 vota pro dhe 21 kundër dhe pritet të shqyrtohet nga Senati në javët e ardhshme.

Nëse miratohet përfundimisht, Franca do të bëhej vendi i dytë në botë që vendos një ndalim të tillë, pas Australisë, e cila ndaloi përdorimin e mediave sociale për të miturit nën 16 vjeç në dhjetor. Sipas planit të qeverisë franceze, ndalimi i krijimit të llogarive të reja do të nisë nga shtatori 2026, ndërsa deri më 1 janar 2027 do të vendosen kontrolle të detyrueshme të moshës edhe për llogaritë ekzistuese.

Projektligji parashikon ndalim të qasjes në platformat e mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç, me përjashtim të disa platformave arsimore dhe aplikacioneve të mesazheve private si WhatsApp. Po ashtu, qeveria synon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkollat fillore dhe të mesme.

Më herët këtë muaj, Agjencia Kombëtare e Sigurisë Shëndetësore në Francë paralajmëroi se rrjetet sociale si TikTok, Instagram dhe Snapchat po ndikojnë negativisht në shëndetin mendor të adoleshentëve, duke rritur rreziqet e ngacmimit kibernetik dhe ekspozimit ndaj përmbajtjes së dhunshme.

Ndërkohë, shumë vende të tjera po shqyrtojnë masa të ngjashme. Parlamenti Evropian miratoi një propozim jo-detyrues për ndalimin e mediave sociale për të rinjtë nën 16 vjeç, ndërsa Danimarka, Spanja dhe Britania po debatojnë iniciativa kombëtare. Kina dhe Koreja e Jugut kanë vendosur prej vitesh kufizime të rrepta për përdorimin e internetit dhe telefonave nga të miturit.