Fadil Xhelili hyri sot në zyrën e komunës së Gostivarit si UD-kryetar i Gostiavarit deri me 11 Janar. Fadil Xhelili u shpre se ai ka ardhur si i deleguar i qeverisë dhe nuk do të hakmerret me askënd në komunë të Gostivarit. Xhelili tha se ai ka ardhur në momentet e vështira ku shërbimet komunale nuk duhet të ndalohen dhe qytetarët duhet të marin këto shërbime nga komuna.
Ai tha se kariera e tij është duke u bazuar tek ligji në gjyqësi dhe drejtësi andaj nuk duhet keqkuptuar ardhja e tij.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët dhe ish-kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj emërimit të të ashtuquajturve “administratorë të besuar” (poverenik) në komunat ku zgjedhjet nuk prodhuan fitues, duke deklaruar se një praktikë e tillë është e papranueshme dhe antidemokratike.
Taravari theksoi se çdo tentativë për të vendosur persona të emëruar nga Qeveria në krye të komunave përkohësisht bie ndesh me vullnetin qytetar dhe me parimin kushtetues të zgjedhjes së drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave.
“Kryetar komune zgjidhet nga qytetarët – pikë. Çdo tentativë për të emëruar ‘povereník’ është e papranueshme,” deklaroi Taravari.
Ai u shpreh se veçanërisht në Gostivar, një qytet me traditë të lartë demokratike dhe pjesëmarrje politike aktive, një vendim i tillë do të haste në refuzim të plotë.
“‘Poverenikat’ nuk kalojnë, sidomos JO në Gostivar! Qytetarët e Gostivarit nuk pranojnë të drejtohen nga të emëruar, por nga të zgjedhur,” theksoi ai.
Taravari tha se çdo zgjidhje tjetër përveç rikthimit të qytetarëve në kutitë e votimit është e papërshtatshme dhe cenon sistemin demokratik lokal.
“E vetmja zgjidhje demokratike janë zgjedhjet. Nëse dikush ka frikë nga vota, problemi nuk është te qytetarët,” shtoi ai.
Reagimi i Taravarit vjen pas diskutimeve të fundit lidhur me komunat ku zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit nuk dhanë rezultat përfundimtar dhe ku pritet përsëritja e procesit zgjedhor.
Sakaq, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai ka uruar Fadil Xhelilin me rastin e marrjes së funksionit ushtrues detyre të kryetarit të Gostivarit.
Sipas Fetait, ky është një veprim i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësi në shërbimet për qytetarët dhe për të vendosur rend në administratën e komunës.
“Pardje u emërua, ndërsa sot e mori zyrtarisht vendimin si ushtrues detyre i kryetarit të Gostivarit, z. Fadil Xhelili i besuari i Qeverisë për rikthimin e stabilitetit institucional dhe funksionimit normal të komunës. Ky është një veprim i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësi në shërbimet për qytetarët, për të vendosur rend në administratë dhe për të hapur një kapitull të ri përgjegjësie dhe transparence në Gostivar”, thekson Fetai pas takimit që realizoi me Xhelilin.
Sipas tij, qeveria vepron kur ka nevojë, me vendime të guximshme dhe në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
“Gostivari meriton institucione funksionale dhe udhëheqje që punon, jo që bllokon. Urime z. Xhelili dhe suksese në këtë detyrë me përgjegjësi të lartë publike”, shkruan zëvendëskryeministri Fetai në rrjetet sociale.
