Ish ministri i Bujqësisë dhe katër persona të tjerë përfundojnë në pranga

Në pranga ka përfunduar ish ministri i Bujqësisë Trajan Dimkovski. Pos tij janë arrestuar edhe katër persona të tjerë. Bëhet fjalë për personat N.R dhe T.K, udhëheqës në AgroBerza – Agjencia për rezerva të mallrave, R.A drejtor i Agjencisë dhe M.P ekspert nga Byroja për vlerësim. Policia ka kryer bastisje në shtëpi dhe hapësira afariste në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë. Pesë personat dyshohen se gjatë periudhës 2019 – 2021, në Qeveri kanë dorëzuar informacione të pasakta për gjendjen faktike në AgroBerza, respektivisht nuk kanë treguar se ka mungesë të grurit merkantil dhe të elbit.

“Njëri nga të dyshuarit, bashkëpunëtor i jashtëm i angazhuar përmes Byrosë për Vlerësim, ka përgatitur ekspertizë ku ka shënuar informacione të pavërteta. Dokumenti është dorëzuar deri te Qeveria dhe e njëjta është pranuar nga ana e Qeverisë me çka Agjencia për rezerva të mallrave është obliguar të fshijë 1500 ton nga gruri merkantil dhe 500 ton elb në vlerë të përgjithshme prej 473 mijë euro e në momentin e fshirjes, vlera ka e tyre ka shënuar 780 mijë euro. Me këtë vlerë është shkaktuar dëm mbi buxhetin”, thonë nga Prokuroria Publike.

Dimkovski ishte ministër nga radhët e LSDM-së. Nga kjo parti akuzojnë pushtetin se po krijojnë raste të montuara me qëllim largimin e fokusit nga siç thonë, skandali i fundit kriminal i pushtetit aktual me vlerë 130 milion euro.

“Pushteti i dëmtoi bujqit me më tepër se 130 milion euro me skandalin mega korruptiv i cili çon drejt për drejt te Tripunovski dhe Mickoski e për të cilët nuk ka asnjë përgjegjësi, as politike e as juridike. Tani përpiqen me akuza të montuara të defokusojnë, të krijojnë mjegull dhe të largohen nga krimi i tyre ku kanë ngecur. Denoncimet e tilla të pabaza dhe të montuara për Trajan Dimkovskin, i cili tërësisht i zbuloi të gjitha keqpërdorimet e Ministrisë së Bujqësisë dhe këtij pushteti të paaftë, nuk mund të jenë asnjë alibi”, thonë nga LSDM-ja.

Ndaj të dyshuarve janë propozuar masa të kujdesit, konfiskimi i pasaportave dhe paraqitje e rregullt në gjykatë. Do të ndiqen për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 353 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 4 dhe 1 nga Kodi Penal.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori