Jubilare: Energjia krijuese e 30 viteve e Bashkim Mexhitit

Arritjet artistike në pikturë, që prezantohen në këtë ekspozitë të rrugëtimit të tij artistik 30-vjeçar, dëshmojnë se ai është një artist me energji të plotë artistike. Bashkimi në artin e tij shfrytëzon edhe sekretin e pikturës abstrakte, e cila është heqja absolute e realitetit objektiv, fillimisht, kompozicioni në veprat e tija është i hapur dhe dinamik, koloriti është i pasur, ekspresiv

Nga Reshat AMETI

Bashkim Mexhiti është një ndër themeluesit e Fakultetit të Artit Figurativ pranë Universitetit të Tetovës dhe bartës i lëndës Akt në të gjitha drejtimet e Artit figurativ, kryetar i parë i Shoqatës së artit figurativ “Draudacum”. Bashkimi është një nga artistët e rrallë pamor që zotëron aftësi të ndryshme artistike. Krahas pikturës, ai ka arritje mjaft të suksesshme në fushën e Skulpturës. Prezantimi i radhës është vazhdimi i ekspozitave të suksesshme që ai pati vit në Zagreb dhe në qytetet e Maqedonisë Lindore në Koçan, Kavadar dhe Strumicë dhe Dibër. Ai ka realizuar edhe ekspozita të tjera ndërkombëtare, New York City, Berlin Grac, Prizren, etj. Por në këtë ekspozitë e kemi energjinë krijuese të 30 viteve, një përvjetor që e uron çdo artist, një karrierë plot sfida dhe suksese.

Bashkimi është artist me përkushtim serioz ndaj çdo realizimi artistik, për të nuk ekzistojnë kufij dhe limite në realizimin e idesë së paraparë krijuese. Ai gjithmonë kërkon të pasurojë materializimin e tij artistik, si dhe filozofinë e tij krijuese. Arritjet artistike në pikturë, që prezantohen në këtë ekspozitë të rrugëtimit të tij artistik 30-vjeçar, dëshmojnë se ai është një artist me energji të plotë artistike. Bashkimi në artin e tij shfrytëzon edhe sekretin e pikturës abstrakte, e cila është heqja absolute e realitetit objektiv, fillimisht, kompozicioni në veprat e tija është i hapur dhe dinamik, koloriti është i pasur, ekspresiv. Lëvizjet e brushës janë të shpejta dhe gjestikulative me kahe të llojllojshme.

Gjithashtu, për ta përforcuar idenë artistike dhe për t’i dhënë pikturës një zë më të fuqishëm, Bashkim Mexhiti përdor edhe materiale tjera me prejardhje natyrale dhe artificiale: letër, gazeta, fragmente lajmesh të shkëputura nga revistat, maska për mbrojtje etj. (përvojë e enformelit) , që do të thotë se ai nuk ia lë vetëm rastit, por idenë fillestare e rindërton dhe e zhvillon në mënyrë graduale dhe si rezultat i këtij kërkimi artistik është edhe piktura. Veprat e Bashkimit në shumë raste janë ekspresive, me një gamë bartëse të hapësirës në pëlhurë, ku hidhen ngjyrat me koloritet të shumëllojshëm, por kemi edhe vepra të cilat janë me kolor dhe formë harmonike, me koncept më të qetë (varësisht nga motivi dhe imagjinata), por këto vepra janë si hyrje (prolog) në veprat të cilat do të “eksplodojnë” me koloritet dhe lëvizje, gjë që bën që pikturat e tija të kenë forcën e gravitetit artistik, nuk të lënë të qetë dhe të tërheqin si një forcë estetike.

Pikturat, me energjinë që e posedojnë, e dominojnë hapësirën vizuale ku janë aranzhuar për ekspozitë, përfitojmë përshtypje se ato po “e dirigjojnë lëvizjen” në hapësirën e galerisë. Gjithashtu ofron që konsumuesi i artit pamor në mënyrë të pavarur ta vazhdojë vet kompozimin e veprës dhe të ketë idenë personale për mesazhet dhe simbolet artistike dhe në atë mënyrë ka mundësi të përjetojnë dhe shijojnë një estetikë të pasur vizuale. Profesori Bashkim Mexhiti, me të gjitha këto kualitete, me bagazh të plotë artistik dhe si gjurmuesi i vërtetë i thesarit të “fshehur” artistik, do të vazhdojë me kërkime dhe zbulime të reja artistike dhe do të vazhdojë të japë kontribut në ngritjen dhe afirmimin e kulturës dhe artit shqiptar në këto hapësira tona kulturore, por edhe botërore. (koha.mk)

Mexhiti: Momente të paharrueshmenë rrugëtimin tim artistik

Momente të paharrueshme që bënë këtë ngjarje një eksperiencë të veçantë në rrugëtimin tim artistik.

Falënderoj kuratoren Maja Krstevska për mbështetjen dhe punën profesionale, Prof. Dr. Hivzi Muharremin për hapjen dhe kontributin e çmuar si historian i artit, duke ofruar një vështrim kritik mbi opusin tim krijues, si dhe kolegun Reshat Ametin për mbështetjen dhe fjalimin e shkëlqyer. Mirënjohje të veçantë për të gjithë kolegët dhe miqtë që ishin të pranishëm në hapjen e ekspozitës sime në Galerinë Çifte Hamam.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori