17-vjeçari lëndohet në aksident në Gostivar, drejtuesi i veturës largohet nga vendi i ngjarjes

Një i mitur 17-vjeçar nga Gostivari është lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Ginovski”, ndërsa automjeti tjetër i përfshirë është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas denoncimit në SPB Gostivar, aksidenti ka ndodhur dje, rreth orës 18:30, mes një automjeti të udhëtarëve dhe një mopedi me targa të Gostivarit, të cilin e drejtonte i mituri.

Pas aksidentit, 17-vjeçari është dërguar në Qendrën Urgjente në Gostivar, ku i janë konstatuar lëndime trupore.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, policia ka konstatuar se i mituri e kishte drejtuar mopedin pa patentë shoferi.

Me udhëzim të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar, kundër të miturit është ngritur kallëzim për veprën penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal, që ka të bëjë me drejtimin e pamatur të mjetit motorik.

Ndërkohë, automjeti tjetër i përfshirë në aksident është larguar nga vendi i ngjarjes. Gostivari Sot