Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, njoftoi një reformë në Armatë, e cila do t’u mundësojë ushtarëve profesionistë që mbushin 45 vjeç të vazhdojnë punën deri në pensionim.
Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Lafçiski, ushtarët që zgjedhin këtë mundësi do të mund të qëndrojnë në Armatë si personel civil dhe të angazhohen për sigurimin e objekteve dhe personelit në kazerma e garnizone. Me reformën synohet që statusi i tyre i punës të ndryshojë nga kohë e caktuar në kohë të pacaktuar.
Misajllovski tha se do të vazhdojnë të vlejnë edhe mundësitë ekzistuese: pagesa e dëmshpërblimit në vlerë prej dy pagave mesatare për çdo vit të kaluar në Armatë, si dhe punësimi në institucionet shtetërore ose lokale.



