Vokrim Demiri është zgjedhur kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare në Gostivar, në kuadër të Kuvendit zgjedhor të mbajtur sonte, ku u zgjodhën edhe organet e reja drejtuese të kësaj dege.
Demiri mori mbështetjen unanime të kuvendarëve të pranishëm, ndërsa me propozimin e tij u votua edhe përbërja e re e kryesisë.
Pas marrjes së detyrës, Demiri theksoi se zgjedhja e tij përfaqëson një përgjegjësi për ringritjen e strukturave lokale dhe për krijimin e kushteve më të mira për shqiptarët dhe qytetarët në përgjithësi.
Ai kujtoi se pas 20 vitesh të kaluara në mërgim është kthyer në vendlindje për të kontribuar në zhvillimin e saj.
“Unë vetë për 20 vite kam jetuar në mërgim dhe tani jam kthyer për të kontribuar në vendlindjen time. Duhet të gjithë të punojmë për vendin tonë, për këtë popull e për brezat e rinj, që të mos e shohin mërgimin si rrugëdalje, por jetën e tyre ta ndërtojnë këtu”, deklaroi kryetari i sapozgjedhur, Vokrim Demiri.
Në punimet e Kuvendit mori pjesë edhe kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, i cili vlerësoi rëndësinë e Degës së Gostivarit, duke e cilësuar atë si një ndër strukturat më të fuqishme të subjektit ndër vite.
“Gostivari ka qenë dhe mbetet shumë i rëndësishëm për ne. Ju që jeni sonte të pranishëm jeni simbol i rezistencës dhe i rrugës së drejtë kombëtare”, u shpreh Sela.
Ai komentoi edhe zhvillimet në skenën politike në Gostivar, duke kritikuar ata që, sipas tij, politikën e shohin si “transfertë futbollistësh”.
Sela theksoi se Lidhja Shqiptare, ashtu siç kishte vepruar Aleanca për Shqiptarët gjatë kohës kur drejtohej prej tij, do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e kauzës kombëtare, të drejtave dhe barazisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ne nuk jemi për kolltuqe pushteti, por për një shtet që do të jetë i barabartë për të gjithë”, deklaroi Sela.
Në Kuvendin zgjedhor të Degës së Gostivarit ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të partisë, deputeti Elmi Aziri, si dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë Qendrore. Gostivari Sot

