Një 18-vjeçar nga Bogovina ka denoncuar në polici se është sulmuar fizikisht pranë Gjykatës Themelore në Gostivar, pas përfundimit të një seance gjyqësore, transmeton Flaka.
Sipas denoncimit të bërë më 16 tetor, në orën 21:30, në Departamentin e Punëve të Brendshme në Gostivar, ngjarja ka ndodhur më 21 shtator të këtij viti, kur i riu po largohej në këmbë nga gjykata, së bashku me avokatin e tij.
Në atë moment, sipas deklarimit të tij, ai është sulmuar fizikisht nga Z.J. nga Gostivari, i cili dyshohet se mbante një shkop metalik.
Si pasojë e sulmit, 18-vjeçari ka pësuar lëndime trupore, të cilat janë konfirmuar në Qendrën Urgjente në Gostivar.
Policia njofton se po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit. GS


