Për herë të dytë shfaqet ariu në Dobërdoll, shqetësim për sigurinë pranë shkollës

Shqetësimi është rritur mes banorëve të fshatit Dobërdoll, pasi për herë të dytë është raportuar prania e një ariu në afërsi të rrugës që çon drejt Shkollës Fillore „Sali Lisi”.

Sipas informacioneve të bëra publike, prania e kafshës së egër është regjistruar nga kamerat e sigurisë në zonë. Përsëritja e rastit në të njëjtin lokacion ka shtuar vëmendjen e banorëve, veçanërisht për shkak të afërsisë me shkollën dhe lëvizjes së përditshme të nxënësve dhe kalimtarëve.

Apel për kujdes dhe vigjilencë

Banorëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve në këtë zonë dhe të shmangin afrimin ndaj kafshës në rast se e vërejnë. Çdo informacion për vendndodhjen e saj duhet t’u përcillet institucioneve kompetente, në mënyrë që të ndërmerren masat e nevojshme.

Njëkohësisht, qytetarëve u kërkohet të mos përhapin informacione të pakonfirmuara dhe të mbështeten në njoftimet zyrtare të autoriteteve.

Duke pasur parasysh përsëritjen e rastit, vëmendja mbetet te siguria e banorëve dhe e nxënësve, si dhe te nevoja për reagim të koordinuar të institucioneve përgjegjëse. GS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *