Pothuajse një muaj ka kaluar nga zhdukja e 27-vjeçarit Shëmo Shabani nga Gostivari, i cili më 13 tetor ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më. Pavarësisht masave të ndërmarra nga policia dhe kërkimeve në terren, deri më tani nuk ka asnjë rezultat për gjetjen e tij.
Më 21 tetor, ekipe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në koordinim me policinë dhe shërbimet lokale, zhvilluan kërkime në shtratin e lumit Vardar në rajonin e Gostivarit. Në aksion morën pjesë edhe pjesëtarë të ekipit për reagim të shpejtë dhe shpëtim në ujëra, të cilët kontrolluan pikat kritike nga zona urbane e qytetit deri në pjesët e poshtme të rrjedhës së lumit.
Një ditë më vonë u bë e ditur se Shabani nuk ishte gjetur, ndonëse ekipet e shpëtimit kishin kontrolluar në detaje rreth dhjetë pika kritike përgjatë lumit.
Në kuadër të hetimeve, policia ka marrë në bisedë persona që kishin pasur kontakte me të pak para zhdukjes. Janë shqyrtuar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë dhe informacionet për lëvizjet e tij, ndërsa ishte kërkuar edhe ulja e nivelit të ujit të Vardarit për të lehtësuar kërkimet.
Fotografia e Shabanit është publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në rubrikën për personat e zhdukur.
Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, ta paraqesin atë në stacionin më të afërt policor. Gostivari Sot

