Ndërmarrja Publike “Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi” – Gostivar ka ndërhyrë në Parkun e Madh të Qytetit për largimin e degëve të dëmtuara që paraqisnin rrezik potencial për kalimtarët. Paralelisht, në dy akse rrugore të qytetit janë mbjellë 52 drunj të rinj.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, më 5 qershor 2026, nga një pemë në Parkun e Madh kishte rënë një degë e madhe, drejtpërdrejt në shtegun për këmbësorë. Vetëm tri javë më vonë, më 26 qershor, nga e njëjta pemë kishte rënë edhe një degë tjetër me përmasa të ngjashme.
Fatmirësisht, të dyja rastet përfunduan pa pasoja në njerëz, megjithëse në afërsi kishte kalimtarë. Ngjarjet ngritën shqetësime për rrezikun që mund të paraqesin degët e mëdha dhe të dëmtuara në hapësirat publike.
Më 26 tetor, punonjësit e ndërmarrjes kanë ndërhyrë për largimin e degëve të identifikuara si rrezik potencial për rënie mbi shtegun e këmbësorëve.
“Ky veprim ishte një ndërhyrje e domosdoshme parandaluese, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve që çdo ditë i shfrytëzojnë hapësirat publike të qytetit”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.
Në të njëjtën ditë, janë mbjellë 52 drunj të rinj përgjatë korridoreve të gjelbra në dy akse rrugore: nga Maleardi deri te rrethrrotullimi në rrugën e Dibrës, si dhe në aksin nga Pallati i Kulturës deri te Stacioni i Trenit.
Nga Ndërmarrja Publike “Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi” theksojnë se kujdesi ndaj mjedisit nënkupton jo vetëm mbjelljen e drunjve të rinj, por edhe mirëmbajtjen e atyre ekzistues, identifikimin e rreziqeve dhe ndërhyrjen në kohë për parandalimin e incidenteve.
“Siguria e qytetarëve dhe gjelbërimi i qytetit janë përgjegjësi që shkojnë krah për krah”, theksohet në përfundim të njoftimit.
Ndërmarrja bën të ditur se do të vazhdojë aktivitetet për mirëmbajtjen e gjelbërimit dhe për krijimin e hapësirave publike më të sigurta dhe më të shëndetshme për qytetarët e Gostivarit. Gostivari Sot



