“Komunalec”: Uji i pijshëm në Gostivar është i sigurt, analizat konfirmojnë përputhshmërinë me standardet

Ndërmarrja Publike “Komunalec” – Gostivar njofton qytetarët se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit është i sigurt për pije, sipas rezultateve të analizave laboratorike të pranuara më 26 tetor 2026.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, raportet zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik Tetovë – Njësia Rajonale Gostivar konfirmojnë se mostrat e analizuara i plotësojnë standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të përcaktuara për ujin e pijshëm.

“Mostrat e analizuara dëshmojnë në mënyrë të përsëritur se uji vazhdon të plotësojë të gjitha standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike”, thuhet në njoftimin e NP “Komunalec”.

Procesi i marrjes së mostrave është realizuar në pesë pika të rrjetit shpërndarës: në Rezervuarin 1 dhe Rezervuarin 2 në Zdunjë, në lagjen Mllaki, te çezma e Xhamisë në Lagjen e Re dhe te çezma publike pranë varrezave në Banjicë të Poshtme.

Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se, sipas rezultateve të analizave, të gjitha mostrat e marra në këto pika janë në përputhje me kriteret e përcaktuara për konsum të sigurt të ujit.

“Monitorimi dhe kontrolli i cilësisë së ujit do të vazhdojë rregullisht, përmes marrjes së mostrave ditore dhe analizave rigoroze, për të garantuar një furnizim të sigurt për të gjithë qytetarët”, theksohet më tej në njoftim.

Në interes të transparencës dhe informimit të publikut, NP “Komunalec” ka bërë të ditur se bashkëngjitur njoftimit janë publikuar edhe rezultatet e analizave laboratorike, të cilat qytetarët mund t’i shqyrtojnë. Gostivari Sot