NP „Mavrova“ njofton të gjithë peshkatarët sportivë se sezoni i peshkimit në të gjitha ujërat e Parkut Kombëtar ka përfunduar, ndërsa ndalesa do të jetë në fuqi nga 1 nëntori 2026 deri më 31 janar 2027.
Sipas njoftimit të Parkut Kombëtar „Mavrova“, sezoni i ri i peshkimit sportiv do të fillojë më 1 shkurt 2027 dhe do të zgjasë deri më 31 tetor 2027.
Nga institucioni u bëhet thirrje peshkatarëve dhe vizitorëve që të respektojnë ndalesën gjatë kësaj periudhe, me qëllim të mbrojtjes së fondit të peshkut dhe ekosistemeve ujore.
„I lusim të gjithë peshkatarët sportivë dhe vizitorët që ta respektojnë ndalesën e peshkimit dhe me sjelljen e tyre të përgjegjshme të kontribuojnë në ruajtjen e fondit të peshkut, mbrojtjen e ekosistemeve ujore dhe ekuilibrit natyror në Parkun Kombëtar Mavrova“, thuhet në njoftim.
Drejtoria e parkut ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe respektimin e rregullave nga ana e peshkatarëve, duke veçuar edhe kontributin e tyre gjatë Kampionatit Botëror të Krapit.
„Ju falënderojmë veçanërisht për bashkëpunimin gjatë Kampionatit Botëror të Krapit, ku treguat një nivel të lartë mirëkuptimi ndaj nesh si nikoqirë të këtij aktiviteti të rëndësishëm, ndaj partnerëve tanë dhe, mbi të gjitha, ndaj punonjësve të sektorit të mbrojtjes“, thuhet në reagimin e NP „Mavrova“.
Nga parku kërkojnë mirëkuptimin dhe respektimin e ndalesës, në interes të ruajtjes së pasurisë natyrore të kësaj zone të mbrojtur. Gostivari Sot

