Parku Kombëtar “Mavrova”, në kuadër të Planit Vjetor për ripopullimin e ujërave me peshq, ka realizuar aksion për shtimin e fondit peshkor në Liqenin e Mavrovës dhe në disa nga lumenjtë që kalojnë në territorin e parkut.
Sipas njoftimit të NP “Mavrova”, në Liqenin e Mavrovës janë lëshuar gjithsej 400 kilogramë peshq, prej të cilëve 200 kilogramë troftë dhe 200 kilogramë krap. Gjithashtu, me troftë të lumit janë pasuruar edhe disa pjesë të lumenjve në territorin e parkut.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Parkut Kombëtar për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e fondit peshkor, si dhe ruajtjen e ekuilibrit natyror në ekosistemet ujore.
Paralelisht me ripopullimin, Shërbimi për Mbrojtjen e Natyrës realizon kontrolle të rregullta në ujërat dhe në të gjithë territorin e parkut, me qëllim parandalimin e peshkimit të paligjshëm dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.
Nga NP “Mavrova” theksojnë se mbrojtja e ujërave dhe e fondit peshkor është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa respektimi i rregullave dhe sjellja e përgjegjshme janë thelbësore për ruajtjen e pasurisë natyrore të parkut. Gostivari Sot



