Klubi: Nuk kemi pasur asnjë rol në tenderim dhe administrimin e mjeteve, jemi të dëmtuarit nga projekti i parealizuar.
KF Arsimi-1973 ka ngritur zërin për zvarritjen e projektit të rikonstruksionit të stadiumit të futbollit në Çegran, duke kërkuar përgjegjësi institucionale, transparencë financiare dhe zbardhjen e plotë të mënyrës se si janë shpenzuar paratë publike.
Në reagimin e tij publik, klubi rikthen në vëmendje faktin se projekti, i cili duhej të përfundonte në dhjetor të vitit 2023, edhe pas disa vitesh nuk ka prodhuar një stadium funksional. Për realizimin e tij ishin paraparë rreth 112 mijë euro, ndërsa, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra për Komunikime Qytetare, kompanisë zbatuese i janë paguar rreth 70 mijë euro.
Kontrata me kompaninë është ndërprerë më 10 nëntor 2025, për shkak të mosrespektimit të detyrimeve kontraktuale.
Përballë kësaj situate, KF Arsimi distancohet nga çdo përgjegjësi për dështimin e projektit, duke theksuar se nuk ka qenë palë në procedurën e prokurimit publik, nuk ka nënshkruar kontratë me kompaninë zbatuese dhe nuk ka pasur kompetenca në administrimin e mjeteve apo mbikëqyrjen e punimeve.
Sipas klubit, përgjegjësia duhet kërkuar te ata që kanë marrë përsipër realizimin dhe mbikëqyrjen e projektit, ndërsa publiku meriton përgjigje konkrete se çfarë është ndërtuar, për çfarë janë paguar paratë dhe pse objekti sportiv ende nuk është në funksion.
Pasojat, siç thekson Arsimi, nuk janë vetëm infrastrukturore. Mungesa e një fushe në Çegran e ka detyruar klubin që për vite me radhë aktivitetet sportive t’i zhvillojë jashtë vendbanimit, duke krijuar shpenzime shtesë dhe vështirësi në organizimin e punës së tij.
Klubi kërkon publikimin e dokumentacionit për punimet e realizuara, bazën e pagesave të kryera, raportet e mbikëqyrjes dhe masat që janë ndërmarrë për të mbrojtur fondet publike. Njëkohësisht, paralajmëron se do ta ndjekë çështjen edhe përmes mekanizmave ligjorë.
Megjithatë, për stadiumin e Çegranit duket se po kërkohet edhe një rrugëdalje. KF Arsimi njofton se ndodhet në fazën përfundimtare të bisedimeve me Federatën e Futbollit të Maqedonisë, e cila pritet të marrë përsipër realizimin e disa punëve të mbetura. Gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e problemit ka shprehur edhe Komuna e Gostivarit.
Në fund të reagimit, klubi kërkon debat publik dhe angazhim konkret nga institucionet, duke insistuar se banorët e Çegranit dhe vetë klubi nuk duhet të vazhdojnë të mbajnë barrën e një projekti që nuk është realizuar sipas pritshmërive.
“Çegrani dhe KF Arsimi janë vetëm të dëmtuarit në këtë rast. Është koha për përgjigje dhe veprime konkrete”, përfundon reagimi i klubit.
Çështja e stadiumit tashmë nuk është vetëm një problem sportiv për KF Arsimin, por edhe një çështje e transparencës së shpenzimit të parasë publike, për të cilën institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari. Gostivari Sot



