Qeveria e Indonezisë ka njoftuar një masë të re që do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16-vjeç. Lajmi u konfirmua nga Ministrja e Komunikimit, Meutya Hafid, e cila tha se masa do të hyjë në fuqi më 28 mars 2026.

“Fëmijët nën 16-vjeç nuk mund të kenë më llogari në platformat digjitale me rrezik të lartë. Vendimi po merret për të ardhmen e fëmijëve indonezianë,” deklaroi Hafid.

Indonezia bëhet vendi i dytë në botë që vendos kufizime të tilla, pas Australisë, e cila miratoi një ligj të ngjashëm në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas ministres, zbatimi i masës do të fillojë gradualisht dhe do të përfshijë platformat më të përdorura të fëmijëve dhe adoleshentëve, përfshirë: YouTube, TikTok, Facebook, Instagram, Threads, X, Bigo Live dhe Roblox. Arsyeja e vendimit lidhet me kërcënimet në hapësirën digjitale, si pornografia, ngacmimi kibernetik, mashtrimet online dhe varësia digjitale.

Ministrja theksoi se përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve nuk bie vetëm mbi prindër, por edhe mbi platformat që menaxhojnë hapësirën digjitale. “Teknologjia duhet ta humanizojë njerëzimin, jo të sakrifikojë fëmijërinë e fëmijëve tanë,” shtoi Hafid.