Këshilli i Komunës së Gostivarit ka miratuar sot, me votat unanime të këshilltarëve, Programin Zhvillimor për vitin 2027, ku një ndër prioritetet kryesore është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe zhvillimi i infrastrukturës së ujësjellësit, si në qytet, ashtu edhe në vendbanimet rurale. Programi parasheh realizimin e gjithsej 57 projekteve infrastrukturore dhe investimeve në fusha të ndryshme, me vlerë të përgjithshme prej 1.034.099.240 denarësh.
Në kuadër të investimeve në furnizimin me ujë, programi përfshin vazhdimin e projektit „Ujë për Gostivarin“, përkatësisht fazën e dytë të tij, me 60 milionë denarë, ndërtimin e rezervuarit dhe ujësjellësit në Çegran, me 40 milionë denarë, si dhe realizimin e ujësjellësit Forinë–Çegran. Krahas kësaj, investime në rrjetin e kanalizimit janë planifikuar edhe në Pitarnicë, Grudajcë, Fazaneri, Tullana, Çegran dhe në Bllokun Urban 23.
Në fushën e infrastrukturës rrugore, ndër projektet më të rëndësishme janë ndërtimi i parkingut nëntokësor pranë objektit të Komunës, me investim prej 120 milionë denarësh, si dhe ndërtimi i urës së re mbi lumin Vardar, me rreth 99 milionë denarë. Programi parasheh gjithashtu asfaltimin dhe rikonstruktimin e rrugëve, hapjen e rrugëve në blloqet urbane 22, 23 dhe 24, rregullimin e trotuareve dhe përmirësimin e sigurisë në komunikacion. Për asfaltim dhe bekatonizim, sipas kërkesave të qytetarëve, janë paraparë 95 milionë denarë.
Në fushën e arsimit, kujdesit për fëmijët dhe sportit, parashihen rikonstruktimi i çerdheve në Banjicë dhe „Lule“, rehabilitimi i shkollave „Ismail Qemali“, „Faik Konica“ dhe shkollës së mesme komunale „Gostivar“, si dhe rikonstruktimi i sallës sportive të SHMK-së „Gostivar“. Gjithashtu, planifikohet ndërtimi i një pishine të re pranë SHF-së „Goce Dellçev“, për të cilën janë paraparë 75 milionë denarë.
Programi përfshin edhe një sërë investimesh në shërbimet publike dhe hapësirat e përbashkëta, si rregullimi i parkut të qytetit, vendosja e tualeteve publike, instalimi i 50 hidrantëve mbitokësorë, si dhe furnizimi me automjete për grumbullimin e mbeturinave, pastrimin e rrugëve, shërbimin zjarrfikës dhe shërbimin për largimin e automjeteve të parkuara në mënyrë të parregullt. Për rikonstruktimin dhe përmirësimin e objektit komunal janë paraparë 100 milionë denarë, të cilat do të shfrytëzohen për mbindërtimin e objektit, fasadën, dritaret dhe sistemin e ngrohjes.
Vlera e përgjithshme e programit do të sigurohet përmes disa burimeve të financimit. Komuna e Gostivarit do të marrë pjesë me 804.232.240 denarë, Ministria e Transportit me 159.182.000 denarë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor me 60.685.000 denarë, ndërsa Banka Evropiane për Investime me 10.000.000 denarë.
Afati i paraparë për realizimin e projekteve të përfshira në Programin Zhvillimor është viti 2027.
Me miratimin unanim të këtij programi, Komuna e Gostivarit përcakton prioritetet investuese për vitin e ardhshëm, me fokus të veçantë në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, zhvillimin e infrastrukturës dhe avancimin e shërbimeve publike, me synim krijimin e kushteve më të mira për jetesë për të gjithë qytetarët. Gostivari Sot

