Gostivari nikoqir i seminarit për avancimin profesional dhe fetar të imamëve

Në Gostivar është organizuar një seminar trajnues për imamë, hatibë dhe vaizë, me qëllim të avancimit të njohurive teologjike dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale të kuadrove fetare.

Aktiviteti u organizua nga Myftinia e Gostivarit, nën përkujdesjen e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në të morën pjesë Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, Myftiu i Gostivarit, Sabahudin ef. Zendeli, përfaqësues të institucioneve fetare dhe një numër i konsiderueshëm imamësh.

Në fokus të seminarit ishte tema „Akideja e Tahaviut e Imam Ebu Xhafer et-Tahaviut el-Hanefi“, përmes së cilës u trajtuan parimet themelore të besimit islam dhe rëndësia e trashëgimisë teologjike në traditën islame.

Seminari u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame dhe Ministrisë për Çështje Islame, Thirrje dhe Udhëzim të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Përveç trajtimit të çështjeve teologjike, aktiviteti kishte për qëllim edhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet imamëve, thellimin e njohurive profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit mes kuadrove fetare.

Organizatorët e vlerësojnë këtë seminar si pjesë të përpjekjeve për ngritjen e vazhdueshme të nivelit profesional të imamëve dhe për përmirësimin e shërbimeve fetare, edukative dhe shoqërore ndaj besimtarëve. Gostivari Sot