Gostivari feston Nëntorin edhe në Zvicër, Limani e Xhaferi në Winterthur me mërgimtarët

Valbon Limani, së bashku me kryesuesin e Këshillit të Komunës së Gostivarit, Valdet Xhaferi, ka marrë pjesë në shënimin e Festave të Nëntorit në Winterthur të Zvicrës, me ftesë të Unionit të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim.

Në këtë aktivitet, në prani të bashkatdhetarëve shqiptarë, janë shënuar dy data të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare: Dita e Alfabetit dhe Dita e Flamurit Kombëtar.

Përmes një mesazhi, Limani ka shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe përkushtimin e mërgatës shqiptare, duke vlerësuar rolin e saj në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen.

„Mërgata jonë është një urë e fuqishme lidhëse me vendlindjen. Bashkatdhetarët tanë e përfaqësojnë denjësisht vendin kudo që veprojnë, duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat tona kombëtare, vlera që na bashkojnë dhe na mbajnë afër njëri-tjetrit“, ka theksuar Limani.

Në fund, ai ka përcjellë urimet për Festat e Nëntorit, duke vlerësuar kontributin e mërgatës në ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare shqiptare.

„Gëzuar Festat e Nëntorit!“, ka përfunduar Limani.

”Gostivarasit në mërgatë, aty ku tradita dhe atdhedashuria mbeten të gjalla! Në Winterthur të Zvicrës, në mesin e bashkatdhetarëve tanë, pata kënaqësinë të jem pjesë e manifestimit kushtuar Festave të Nëntorit, me ftesë të Unionit të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim, së bashku me kryetarin e Komunës së Gostivarit, z. Valbon Limani. Ky takim, përtej festimit të Ditës së Alfabetit dhe Ditës së Flamurit, ishte një dëshmi e gjallë e lidhjes së fortë që mërgata jonë ruan me rrënjët, gjuhën dhe identitetin kombëtar.Mërgata shqiptare është pasuri e çmuar kombëtare. Me punën, kontributin dhe përkushtimin e saj, ajo jo vetëm që ndërton të ardhmen në vendet ku jeton, por njëkohësisht mban të ndezur dashurinë për atdheun dhe përcjell vlerat tona brez pas brezi. Respekt dhe mirënjohje për organizatorët dhe të gjithë bashkatdhetarët për pritjen e ngrohtë dhe organizimin dinjitoz. Kudo që jemi, rrënjët na bashkojnë dhe flamuri na bën një! Gëzuar Festat e Nëntorit”, shkruan Xhaferi. Gostivari Sot