Gostivar dhe Vrapçishti: 40 të rinj përmes trajnimeve kundër radikalizimit dhe ekstremizmit

Në kuadër të projektit „Youth Resilience to Extremism in Multicultural Communities“, është mbajtur trajnimi i dytë për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit te të rinjtë, me pjesëmarrjen e 20 të rinjve nga zonat urbane dhe rurale të komunave të Gostivarit dhe Vrapçishtit.

Trajnimi kësaj radhe ishte i përqendruar në zhvillimin e aftësive për të menduarit kritik, si dhe në ngritjen e nivelit të edukimit mediatik dhe digjital.

Gjatë aktiviteteve, pjesëmarrësit u njohën me mënyrat e vlerësimit të informacionit që hasin në rrjetet sociale, identifikimin e dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe mesazheve manipuluese, si dhe ndikimin që këto përmbajtje mund të kenë në qëndrimet dhe sjelljen e tyre.

Përmes këtij trajnimi, të rinjtë nga mjedise të ndryshme patën mundësi të shkëmbejnë pikëpamje dhe përvoja mbi respektimin e ndërsjellë dhe pranimin e dallimeve.

Me dy trajnimet e deritanishme janë përfshirë gjithsej 40 të rinj nga Gostivari dhe Vrapçishti, duke kontribuar në forcimin e rezistencës së tyre ndaj radikalizimit dhe ekstremizmit.

Projekti „Youth Resilience to Extremism in Multicultural Communities“ realizohet me mbështetjen e Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI).