Ish-nxënësja e Medresesë Isa Beu, Herolinda Emini, fiton titullin PhD në Psikologji në Vjenë

Medreseja “Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Gostivar ka ndarë lajmin për një sukses të veçantë akademik të ish-nxënëses së saj, Herolinda Emini, e cila ka fituar titullin Doctor of Philosophy (PhD) në fushën e Psikologjisë, në Sigmund Freud PrivatUniversität Wien (SFU), në Vjenë të Austrisë.

Emini ishte pjesë e gjeneratës së dytë të maturanteve të SHAM “Medreseja Isa Beu” – Paralelja e Vajzave. Sipas njoftimit të institucionit, ky sukses është rezultat i një rrugëtimi të gjatë studimor, përkushtimit, sakrificës dhe këmbënguljes.

Në kuadër të doktoratës, Herolinda Emini ka trajtuar temën shkencore: “Truri i fshehur: Studimi i marrëdhënies ndërmjet përpunimit të pavetëdijshëm emocional, stresit kronik dhe kontrollit kognitiv përmes EEG-së dhe matjeve psikofiziologjike.”

Nga Medreseja “Isa Beu” vlerësojnë se kjo arritje shkon përtej suksesit individual, duke e cilësuar atë si dëshmi të rëndësisë së dijes dhe të edukimit të ofruar nga institucioni.

“Për ne, ky sukses është shumë më tepër se një arritje individuale. Është dëshmi se farat e dijes të mbjella në bankat e Medresesë mund të japin fryte të çmuara, duke i çuar ish-nxënëset tona drejt horizonteve të reja akademike dhe profesionale”, thuhet në urimin e institucionit.

Duke e cilësuar Herolindën si krenari të Medresesë dhe shembull frymëzues për gjeneratat e reja, institucioni u ka përcjellë një mesazh edhe nxënëseve aktuale:

“Mos i kufizoni ëndrrat tuaja, mos u trembni nga sfidat dhe mos hiqni dorë nga synimet tuaja. Rruga drejt suksesit mund të jetë e gjatë, por çdo hap i hedhur me përkushtim ka vlerën e vet.”

Në fund, Medreseja “Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Gostivar i ka uruar ish-nxënëses suksese të mëtejshme në rrugëtimin akademik dhe jetësor, duke shprehur dëshirën që dija dhe profesionalizmi i saj të jenë në shërbim të shoqërisë dhe njerëzimit.

“Një sukses i yti, një krenari e jona, një frymëzim për gjeneratat që vijnë!”, përfundon urimi i Medresesë.