Më 28 tetor, në SPB Tetovë është denoncuar se në fshatin Kallisht, në vendin e quajtur “Sokolët”, një person i panjohur kishte ndërtuar një objekt pa dokumentacion përkatës dhe dyshohej se po kryente vjedhje të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, denoncimi është bërë nga një qytetar anonim në orën 12:55, pas së cilës është realizuar një inspektim i përbashkët në terren nga një inspektor i autorizuar i ndërtimit nga Komuna e Vrapçishtit dhe inspektorë nga Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike Gostivar.
“Gjatë inspektimit është konstatuar se bëhet fjalë për një objekt të montueshëm me konstruksion hekuri, me përmasa 6 me 8 metra dhe lartësi prej 6 metrash, si dhe një tarracë betoni me përmasa 6 me 4 metra”, thuhet në njoftim.
Sipas deklaratës së H.A. (35) nga fshati Kallisht, me vendbanim në fshatin Vrapçisht, objekti është ndërtuar gjatë muajit gusht të vitit 2026, ndërsa si investitor dhe pronar figuron babai i tij, Sh.A. (61), nga Vrapçishti.
Lidhur me dyshimet për vjedhje të energjisë elektrike, në vendngjarje ka dalë edhe një ekip kujdestar i EVN-së, i cili ka kryer kontrollin përkatës.
“Është konfirmuar zyrtarisht se nuk ka vjedhje të energjisë elektrike. Edhe pse në objekt është gjetur dhe vendosur një kabllo, në të nuk ka tension elektrik dhe është konstatuar se bëhet fjalë vetëm për një përgatitje paraprake për instalim”, bëhet e ditur në njoftim.
Ndërkohë, inspektori i autorizuar i ndërtimit nga Komuna e Vrapçishtit po vazhdon procedurat ligjore për përcaktimin e statusit juridik të objektit dhe ndërmarrjen e masave përkatëse, në përputhje me rregulloret në fuqi për ndërtimin. Gostivari Sot



