Alarm në rrugën Gostivar–Tetovë: Shoferi i dehur kapet në kahun e kundërt

Një vozitje e rrezikshme në rrugën Gostivar–Tetovë ka përfunduar me arrestimin e tre personave. Shoferi 33-vjeçar, nga fshati Dobrosht, është kapur duke drejtuar veturën në kahun e kundërt, ndërsa testi ka treguar se kishte 2,06 promilë alkool në gjak.

Rasti është raportuar më 28 tetor 2026, kur policia ka marrë njoftim për një veturë të tipit “Škoda”, me targa të Tetovës, që po lëvizte në drejtim të kundërt në këtë aks rrugor.

Policia ka ndërhyrë dhe e ka ndaluar veturën në pikëpagesën rrugore në Tetovë. Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferi B.O. (33) ishte nën ndikimin e alkoolit, pas së cilës është privuar nga liria.

Por, arrestimet nuk janë kufizuar vetëm te shoferi. Në pranga kanë përfunduar edhe dy bashkudhëtarët e tij, A.J. (27), nga fshati Nerasht, dhe N.A. (38), nga fshati Dobrosht, të cilët dyshohet se janë sjellë në mënyrë agresive dhe të vrazhdë ndaj policëve gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Të tre personat janë mbajtur në stacionin policor. Policia njofton se pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojnë parashtresat përkatëse ligjore. Gostivari Sot