KF Arsimi përmbys rezultatin ndaj Brerës, fiton 3-1 dhe kualifikohet në çerekfinale të Kupës

KF Arsimi ka siguruar kualifikimin në çerekfinalen e Kupës, pasi ka triumfuar me rezultat 3-1 ndaj Brerës, në një ndeshje ku skuadra nga Çegrani përmbysi disavantazhin dhe shënoi tri herë në pjesën e dytë.

Pas disavantazhit, Arsimi reagoi fuqishëm në pjesën e dytë, duke gjetur tri herë rrugën drejt rrjetës.

Fatjon Jusufi në minutën e 51-të, Arlind Aliti në të 63-tën dhe Ebrima Gaye në minutën e 85-të ishin autorët e golave që vulosën fitoren dhe kualifikimin e Arsimit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, klubi e ka cilësuar këtë sukses si fitore të arritur me shumë zemër dhe karakter.

“Rikthehemi nga disavantazhi për të shënuar tre herë në pjesën e dytë me Jusufin, Alitin dhe Gaye, dhe për kualifikim të merituar në 1/4 e finales së Kupës!”, thuhet në reagimin e KF Arsimit.

Klubi ka përcjellë edhe një mesazh motivues pas këtij triumfi:

“Kur shuhen shpresat dhe heshtin zërat, ne gjejmë forcën të rilindim. Kjo është zemra jonë, ky është karakteri ynë!”

Me këtë fitore, KF Arsimi vazhdon rrugëtimin në garën e Kupës, tashmë si një nga tetë skuadrat e kualifikuara në çerekfinale.

Gostivari Sot