Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për disa raste të regjistruara në vend gjatë datës 23 nëntor 2026, përfshirë sulme fizike, dhunë në familje, posedim të lëndëve narkotike dhe shkelje të rregullave të komunikacionit.
Në rajonin e Gostivarit janë evidentuar disa raste:
– Sulm fizik në Zubovcë: Një 56-vjeçar nga fshati Debreshë ka denoncuar se më 22 nëntor, rreth orës 23:40, në një objekt hotelierik në Zubovcë, pas një fjalosjeje paraprake, është sulmuar fizikisht nga një person nga Dobridolli. Policia po punon për zbardhjen e rastit.
– Arrestim për posedim të drogës: Në rrugën „Iljo Anteski Smok” në Gostivar, policia ka privuar nga liria dy persona, të moshës 21 dhe 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit të një automjeti „Mercedes” është gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe një bluajtëse.
– Arrestim për vuajtje të dënimit me burg: Nëpunësit policorë të Njësisë Policore në Gallatë kanë arrestuar një 31-vjeçar nga Gradeci, i cili kërkohej me urdhër gjyqësor për vuajtjen e dënimit me burg për veprën penale „privim i kundërligjshëm nga liria”. Ai është dërguar në Burgun e Tetovës.
– Drejtim i automjetit pa patentë: Në rrugën „18 Nëntori” në Gostivar, policia ka arrestuar një 20-vjeçar, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se drejtonte automjetin „BMW” pa e fituar paraprakisht të drejtën për drejtimin e mjetit motorik.

