Dy raste të dhunës në familje janë denoncuar brenda një nate në Gostivar, ndërsa policia ka privuar nga liria dy persona të dyshuar për kërcënime ndaj bashkëshorteve të tyre.
Rasti i parë është denoncuar më 21 nëntor, në orën 22:25, në Stacionin Policor të Gostivarit. Një 28-vjeçare ka raportuar se, derisa ndodhej me dy fëmijët e saj të mitur në Qendrën Mjekësore në Gostivar, kishte pranuar një telefonatë nga bashkëshorti i saj 32-vjeçar, M.E., i cili e kishte kërcënuar.
Sipas Policisë së Gostivarit, i dyshuari është privuar nga liria në orën 23:00 dhe është mbajtur në stacion policor për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar në Tetovë, ku një 38-vjeçare ka denoncuar bashkëshortin e saj 49-vjeçar, J.M., nga fshati Balindoll i Komunës së Gostivarit, me të cilin ndodhet në procedurë shkurorëzimi.
Sipas denoncimit, ai e përndiqte dhe e kërcënonte, ndërsa incidenti i fundit kishte ndodhur në vendin e saj të punës, në një sallon në rrugën „Ilinden“ në Tetovë. Gjatë debatit verbal, ai dyshohet se e kishte kërcënuar edhe lidhur me marrjen e dy fëmijëve të tyre të mitur.
Policia e Tetovës e ka arrestuar 49-vjeçarin në orën 21:20, ndërsa për rastin janë njoftuar prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale.
Të dy rastet janë duke u dokumentuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të dyshuar pritet të parashtrohen kallëzime përkatëse.
Gostivari Sot

