Kërcënoi bashkëshorten me marrjen e fëmijëve, arrestohet gostivarasi në Tetovë

Një 49-vjeçar nga fshati Balindoll i Komunës së Gostivarit është privuar nga liria në Tetovë, pasi dyshohet se ka përndjekur dhe kërcënuar bashkëshorten e tij 38-vjeçare, me të cilën është në procedurë shkurorëzimi.

Sipas njoftimit të Policisë së Gostivarit, më 21 nëntor 2026, në orën 19:00, në SPB Tetovë, gruaja ka denoncuar se bashkëshorti i saj, J.M. (49), e përndiqte dhe e kërcënonte.

„Ajo ka denoncuar se herën e fundit, rreth orës 17:05, ai kishte ardhur në sallonin ku ajo punonte, në rrugën ‘Ilinden’ në Tetovë, ku pas një debati verbal i kishte bërë kërcënime lidhur me marrjen e dy fëmijëve të tyre të mitur“, thuhet në njoftimin policor.

Për rastin janë njoftuar prokurori publik, inspektori i lartë dhe Qendra për Punë Sociale në Tetovë.

Më vonë, në orën 21:20, nëpunës policorë nga Stacioni Policor i Tetovës e kanë arrestuar J.M. në rrugën „Ilinden“, prapa një objekti hotelierik.

„Ai është privuar nga liria për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale sipas nenit 144 paragrafi 3 dhe nenit 144-a të Kodit Penal“, njofton Policia e Gostivarit.

I dyshuari është mbajtur në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.

Gostivari Sot