KF Arsimi U19 shpallet kampion i vjeshtës, sukses i ndërtuar mbi përkushtim dhe sakrificë

Ekipi U19 i KF Arsimit ka siguruar titullin e kampionit të vjeshtës, duke kurorëzuar me sukses punën disavjeçare të futbollistëve të rinj, stafit teknik dhe drejtuesve të Akademisë.

Përmes një postimi, klubi ka përgëzuar futbollistët, përgjegjësin e gjeneratës, Berat Ismailin, si dhe të gjithë trajnerët e Akademisë, të cilët prej tre vitesh e gjysmë punojnë për zhvillimin dhe afirmimin e talenteve të reja.

Në klub vlerësojnë se rëndësia e këtij suksesi shkon përtej vendit të parë në renditje. Pas shumë vitesh, Akademia ka arritur të formojë një gjeneratë U19 të kompletuar, si për nga numri i futbollistëve, ashtu edhe për nga cilësia dhe potenciali i tyre.

Në mesazhin e publikuar kujtohet edhe periudha e vështirë e para një viti e gjysmë, kur Akademia përballej me rrezikun e ndërprerjes së aktivitetit. Megjithatë, trajnerët dhe drejtuesit bashkuan forcat, vazhduan punën dhe qëndruan pranë futbollistëve të rinj, duke mos lejuar që ëndrra e tyre sportive të ndërpritej.

Ky është sezoni i dytë që Akademia garon nën emblemën e KF Arsimit. Sot, klubi sheh me krenari një grup juniorësh që po zhvillohen dhe po dëshmojnë potencial për t’u bërë pjesë e ekipit të parë.

Në fund, KF Arsimi ka shprehur mirënjohje të veçantë për trajnerët, për mundin, sakrificën dhe entuziazmin e treguar ndër vite.

Titulli i kampionit të vjeshtës për KF Arsimi U19 përfaqëson kështu jo vetëm një rezultat sportiv, por edhe frytin e këmbënguljes, punës së vazhdueshme dhe besimit në të ardhmen e futbollit. Tv Globi