Tre kandidatë në garë, Këshilli i Gostivarit zgjedh unanimisht Adil Ademin

Adil Ademi do të vazhdojë të drejtojë Stacionin Policor në Gostivar, pasi emërimi i tij është mbështetur unanimisht edhe nga Këshilli Komunal.

Në seancën e sotme, këshilltarët komunalë kanë votuar për njërin nga tre kandidatët e propozuar për këtë pozitë, duke i dhënë Adil Ademit mbështetjen e plotë të Këshillit.

Ademi ishte emëruar në këtë detyrë nga Ministria e Punëve të Brendshme më 28 maj 2025. Votimi i sotëm përmbyll procedurën e konfirmimit të tij në nivel lokal, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Policinë.

Sipas nenit 24 të këtij ligji, komandanti i stacionit policor përzgjidhet nga Këshilli Komunal, i cili duhet të zgjedhë njërin nga kandidatët e propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme.

Me votimin unanim, Adil Ademi siguron mbështetjen e përfaqësuesve të qytetarëve në organin më të lartë përfaqësues të pushtetit lokal për vazhdimin e drejtimit të policisë në Gostivar.

Në një institucion që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sigurinë publike, rendin dhe qetësinë, mbështetja institucionale shoqërohet edhe me pritshmëri për rezultate konkrete në mbrojtjen e qytetarëve dhe forcimin e besimit të tyre në polici.