Kronika e Pollogut: Goditje me trotinet ndaj një 17-vjeçareje, sulme ndaj nxënësve, drogë dhe mashtrim me 400 euro

Policia e Tetovës dhe Gostivarit ka evidentuar disa ngjarje gjatë 9 nëntorit. Në mesin e rasteve janë një aksident me trotinet elektrik ku u lëndua rëndë një 17-vjeçare nga Kosova, sulme ndaj nxënësve në shkolla, ngacmim i ish-partneres, posedim i marihuanës dhe raste të tjera penale.

Një sërë incidentesh dhe veprash të dyshuara penale janë regjistruar në rajonin e Pollogut, sipas buletinit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për datën 9 nëntor 2026.

17-vjeçarja nga Kosova goditet nga trotineti elektrik, drejtuesi largohet

Një 17-vjeçare nga Kosova ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi është goditur nga një trotinet elektrik në bulevardin „Ilinden” në Tetovë.

Rasti është raportuar më 9 nëntor, në ora 11:45, në SPB Tetovë. Pas goditjes, drejtuesi i trotinetit është larguar nga vendi i ngjarjes. Lëndimet e të miturës janë konfirmuar në Qendrën Urgjente të Tetovës.

Policia ka kryer inspektim dhe po ndërmerr masa për identifikimin e personit përgjegjës.

Ndalim për një 40-vjeçar, dyshohet se përndiqte ish-partneren

Në Tetovë, policia ka privuar nga liria një 40-vjeçar nga një fshat i rajonit, pas denoncimit se gjatë muajit të fundit kishte përgjuar dhe ngacmuar vazhdimisht ish-partneren e tij, po ashtu 40-vjeçare.

Personi T.Ç. është ndaluar më 9 nëntor, në ora 14:00. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.

Prindërit denoncojnë sulme ndaj nxënësve në shkolla dhe transportin shkollor

Një tjetër incident është regjistruar në shkollën fillore të fshatit Trebosh. Më 9 nëntor, në ora 18:10, policia ka privuar nga liria B.H. (51) nga ky fshat.

Sipas denoncimit, rreth orës 09:00, gjatë pushimit të madh, ai kishte hyrë në ambientet e shkollës dhe kishte sulmuar fizikisht dy nxënës të mitur, duke u drejtuar edhe kërcënime verbale.

Ndërkaq, në Stacionin Policor të Jegunovcës, një 43-vjeçar nga Prelubishti ka denoncuar se djali i tij i mitur ishte sulmuar nga një bashkëmoshatar në një furgon për transportin e nxënësve në relacionin drejt shkollës fillore në Shemshovë.

Sipas denoncimit, rreth orës 07:15, një i mitur nga fshati Kopanicë i kishte kërkuar para djalit të tij dhe më pas e kishte sulmuar fizikisht. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.

Dy të rinj ndalohen me marihuanë, njëri sulmon policët

Në rrugën „107” në Tetovë, më 9 nëntor, në ora 21:30, policia ka privuar nga liria R.T. (27) dhe S.M. (19), të dy nga Tetova.

Gjatë kontrollit ndaj tyre është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Sipas policisë, gjatë kryerjes së veprimeve zyrtare, S.M. ka sulmuar fizikisht edhe punonjësit e policisë.

Të dy personat janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të pasojnë kallëzimet përkatëse.

Konfiskohen dru zjarri pa dokumente dhe dy sharrë motorike në Bërvenicë

Në fshatin Bërvenicë, më 9 nëntor, në ora 23:00, policia ka ndaluar M.Z. (38) nga fshati Radiovcë.

Gjatë kontrollit, atij i janë marrë automjeti „Volkswagen Golf”, një rimorkio e ngarkuar me dru zjarri pa dokumentacion përkatës dhe dy sharra motorike.

Personi është privuar nga liria, ndërsa sendet e konfiskuara i janë dorëzuar Stacionit Policor në Zherovjan për procedurë të mëtejshme.

Mashtrim me 400 euro për ndihmë sociale

Një 74-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se është mashtruar nga një person nga fshati Dobrosht.

Sipas denoncimit të bërë më 5 nëntor, në shkurt të këtij viti, Sh.A. i kishte ofruar ndërmjetësim për realizimin e të drejtës së kompensimit monetar për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër, përmes Qendrës për Punë Sociale në Tetovë.

Për këtë shërbim, ai dyshohet se kishte marrë 400 euro. Pasi për muaj të tërë nuk kishte marrë asnjë përgjigje dhe as paratë e tij nuk i ishin kthyer, 74-vjeçari kishte kuptuar se ishte mashtruar.

Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Edhe dy raste në Gostivar dhe Gradec

Në Gostivar, një punonjëse e Prokurorisë Themelore Publike ka denoncuar sjellje agresive dhe fyerje nga një person gjatë dorëzimit të dokumenteve në vendin e saj të punës. Sipas denoncimit, Z.B. nga Gostivari kishte shkuar në dy raste, në ora 09:00 dhe 14:00, dhe kishte fyer punonjësen dhe institucionet shtetërore.

Ndërsa në fshatin Gradec, një 28-vjeçare ka denoncuar se djali i saj i mitur ishte sulmuar fizikisht nga gjyshi i një të mituri tjetër, pas një konflikti paraprak mes dy të miturve në oborrin e shkollës fillore të fshatit.

Të dy rastet janë denoncuar më 9 nëntor dhe Policia e Gostivarit po ndërmerr masa për zbardhjen e tyre.

Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme – SPB Tetovë dhe Policia e Gostivarit. Gostivari Sot