19 raste të drejtimit të pakujdesshëm në trafik, 17 persona të arrestuar – mes tyre edhe 35-vjeçari nga Gradeci

Ministria e Punëve të Brendshme ka regjistruar 19 vepra penale për „drejtim të pakujdesshëm të automjetit“ në territorin e Maqedonisë së Veriut gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 17 persona janë privuar nga liria.

Vëmendje të veçantë në këtë bilanc ka edhe rajoni i Gostivarit. Mes personave të përfshirë në procedurat policore është A.A. (35) nga fshati Gradec, i cili është kapur duke drejtuar automjet transportues pa patentë shoferi, përkatësisht pa e fituar të drejtën për drejtim të automjetit.

Rasti është evidentuar më 7 nëntor, rreth orës 09:00, në dalje të fshatit Çajlë. Policia ka ndaluar automjetin transportues „Ford“ me targa të Gostivarit, ndërsa drejtuesi është privuar nga liria dhe automjeti është konfiskuar përkohësisht.

Sipas MPB-së, nga gjithsej 19 rastet e evidentuara në nivel shtetëror, në 11 raste drejtuesit kanë drejtuar automjete pa dhënë provimin për patentë shoferi ose pa fituar të drejtën e drejtimit.

Në gjashtë raste të tjera, shoferët janë kapur duke drejtuar automjete nën ndikimin e alkoolit. Rastet më alarmante janë regjistruar në Manastir, Shkup, Koçan, Ohër dhe qytete të tjera, ku janë matur përqendrime të alkoolit deri në 3,23 promilë në gjak.

MPB njofton se në dy raste të tjera janë konstatuar shkelje shtesë, përfshirë drejtimin e automjetit pa targa regjistrimi dhe me leje qarkullimi të skaduar.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.

Ministria e Punëve të Brendshme apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi apo nën ndikimin e alkoolit, duke theksuar se sjellja e përgjegjshme në trafik është thelbësore për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Gostivari Sot