Një 80-vjeçar nga fshati Çegran i Gostivarit është kallëzuar penalisht pasi dyshohet se ka kërcënuar tre persona dhe ka dëmtuar një automjet gjatë një mosmarrëveshjeje.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike Gostivar ka ngritur kallëzim penal kundër N.Ç. (80), për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale „Rrezikim me mjet të rrezikshëm gjatë përleshjes ose grindjes“.
Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht 2026, në një hapësirë parkimi në fshatin Çegran. Pas një mosmarrëveshjeje paraprake me tre persona, i dyshuari, sipas policisë, u ka drejtuar kërcënime dhe me një send të mprehtë ka dëmtuar xhamin e përparmë të një automjeti.
Rasti është proceduar nga organet kompetente, ndërsa ndaj 80-vjeçarit është ngritur kallëzim penal. Gostivari Sot

