Rreth 30 qen endacakë janë kapur në Gostivar, trajtimi vazhdon prej dhjetë ditësh

Komuna e Gostivarit ka nisur një aksion për trajtimin veterinar të qenve endacakë, por mungesa e një stacionari për strehimin e tyre vazhdon të mbetet problem i hapur.

Prej rreth dhjetë ditësh, në Gostivar po zhvillohet aksioni për kapjen dhe trajtimin e qenve endacakë. Deri më tani janë kapur rreth 30 qen, ndërsa aktivitetet realizohen nga një stacion veterinar i angazhuar nga Kërçova, me të cilin komuna ka lidhur kontratë pas një procedure tenderimi.

Trajtimi përfshin kapjen, vaksinimin, sterilizimin, mbrojtjen kundër parazitëve, vendosjen e mikroçipit dhe testimin për sëmundje të caktuara. Pas përfundimit të procedurave veterinare, qentë kthehen në lokacionet ku janë kapur, në përputhje me dispozitat ligjore.

„Komuna e Gostivarit ndërmerr masa konkrete në kuadër të kompetencave të saj, duke angazhuar një stacion veterinar për kapjen, sterilizimin, vaksinimin dhe trajtimin veterinar të qenve endacakë. Pas përfundimit të procedurave përkatëse, qentë kthehen në vendin nga ku janë kapur, pasi të tilla janë procedurat ligjore“, deklaroi Safet Asani, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Komunale në Komunën e Gostivarit.

Kontrata me stacionin veterinar është lidhur për një periudhë njëvjeçare, ndërsa vlera e saj arrin rreth 1.8 milionë denarë, përfshirë TVSH-në.

Mungon strehimorja, qytetarët kërkojnë zgjidhje afatgjatë

Gostivari nuk ka stacionar për kafshët endacake. Prania e një numri të madh qensh në rrugë, parqe dhe hapësira të tjera publike vazhdon të shkaktojë shqetësim te qytetarët, të cilët kanë shprehur frikë për sigurinë e tyre, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe këmbësorët.

Nga Komuna pranojnë se problemi është më kompleks dhe nuk mund të zgjidhet vetëm nga një njësi e vetëqeverisjes lokale. Sipas Asanit, nevojitet bashkëpunim ndërinstitucional dhe koordinim i komunave të rajonit të Pollogut.

„Duhet të theksohet se Komuna vepron në kuadër të kompetencave ligjore dhe mundësive financiare që ka në dispozicion. Megjithatë, kjo problematikë është shumë më e gjerë dhe nuk mund të zgjidhet në mënyrë të izoluar, përkatësisht vetëm nga një komunë. Për këtë arsye, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi i përbashkët i të gjitha komunave të rajonit të Pollogut janë të një rëndësie thelbësore“, theksoi Asani.

Propozohet strehimore rajonale për nëntë komunat e Pollogut

Si zgjidhje më afatgjatë, nga Komuna bëjnë të ditur se kryetari i saj e ka ngritur këtë çështje edhe para institucioneve më të larta shtetërore, duke propozuar një qasje të përbashkët rajonale.

Propozimi parasheh që nëntë komunat e Pollogut të koordinojnë aktivitetet dhe të hartojnë një strategji të përbashkët për ndërtimin dhe funksionalizimin e një strehimoreje rajonale për qentë endacakë.

„Një zgjidhje e tillë do të mundësonte shfrytëzim më racional të kapaciteteve financiare dhe teknike, si dhe menaxhim më efikas dhe më të qëndrueshëm të këtij problemi“, deklaroi Asani.

Deri në realizimin e një zgjidhjeje të tillë, trajtimi veterinar mbetet një nga masat për kontrollin e popullatës së qenve endacakë në Gostivar. Megjithatë, kthimi i tyre në lokacionet ku janë kapur, mungesa e një strehimoreje dhe shqetësimet e qytetarëve për sigurinë në hapësirat publike tregojnë se problemi kërkon një zgjidhje më të gjerë dhe afatgjatë.

Burimi: TV2 Gostivar