MPB-ja ka regjistruar 25 denoncime për dhunë në familje dhe në marrëdhëniet partneriteti gjatë periudhës 1–5 nëntor 2026. Në kuadër të rasteve të raportuara janë arrestuar dhe ndaluar 14 persona.
Gostivari është një nga qytetet ku policia ka vepruar pas denoncimeve për dhunë në familje gjatë pesë ditëve të para të nëntorit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nga 1 deri më 5 nëntor, policia ka trajtuar gjithsej 25 denoncime për dhunë në familje dhe dhunë në marrëdhëniet partneriteti dhe familjare, në disa qytete të vendit, përfshirë Gostivarin.
Gjatë veprimeve policore lidhur me këto raste, 14 persona janë privuar nga liria dhe janë ndaluar nën dyshimin për sulme fizike, kërcënime dhe forma të tjera të sjelljes së dhunshme ndaj anëtarëve të familjes dhe partnerëve aktualë ose të mëparshëm.
Sipas MPB-së, në mesin e rasteve të raportuara ka pasur sulme fizike ndaj bashkëshortëve, ish-partnerëve, prindërve, fëmijëve, vëllezërve dhe motrave, si dhe raste të keqtrajtimit psikologjik, kërcënimeve dhe shqetësimeve.
Janë evidentuar edhe raste të mosrespektimit të masave mbrojtëse të shqiptuara nga gjykata, si dhe të vendimeve të qendrave për punë sociale lidhur me realizimin e takimeve me fëmijët e mitur.
Në një rast në Shkup, një person dyshohet se kishte kërcënuar nënën e tij me një mjet të mprehtë, ndërsa në Tetovë është raportuar një rast i përcjelljes dhe kërcënimit nga ish-partneri, i cili dyshohet se nuk kishte respektuar masat mbrojtëse të shqiptuara nga gjykata.
Gjithashtu, janë raportuar raste të dhunës fizike ndaj të miturve dhe sjellje kërcënuese e të dhunshme brenda ambienteve familjare.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzimet dhe parashtresat përkatëse.
Ministria apelon te qytetarët që të mos heshtin përballë dhunës në familje dhe të raportojnë me kohë çdo formë të saj, në mënyrë që institucionet kompetente të mund të reagojnë në kohë. Gostivari Sot

