EVN Maqedoni ka hapur poligonin e parë për trajnim praktik të elektroteknikëve dhe elektromontuesve të rinj në Gostivar, në kuadër të projektit të arsimit dual „Mësimi përmes punës“.
Poligoni është ndërtuar në oborrin e Shkollës së Mesme Teknike Komunale „Gostivar“ dhe do të shërbejë si hapësirë shtesë për aftësimin praktik të nxënësve, me pajisje dhe mjete moderne për punë në rrjetet elektrike të tensionit të ulët dhe të mesëm.
Sasho Saltirovski, drejtues i Elektrodistribucionit, theksoi se investimi në kuadrot e reja teknike është prioritet strategjik i kompanisë.
„Poligoni i ri në Gostivar u mundëson nxënësve trajnim praktik në kushte reale dhe në një mjedis të sigurt. Në këtë mënyrë investojmë drejtpërdrejt në krijimin e kuadrove të kualifikuara, të gatshme për sfidat e energjetikës moderne“, deklaroi Saltirovski.
Bashkëpunimi ndërmjet EVN-së dhe SHMTK-së „Gostivar“ daton që nga viti 2013. Në vitin 2019 u hap paralelja e parë duale për profilin trevjeçar „Elektricist – elektromontues i rrjeteve elektrike“, ndërsa nga viti 2025 bashkëpunimi u zgjerua edhe me profilin katërvjeçar „Elektroteknik – energjetik“.
Drejtoresha e shkollës, Teuta Minahi, vlerësoi se partneriteti me EVN-në u krijon nxënësve mundësi të veçanta për zhvillimin e aftësive profesionale.
„Nxënësit tanë kanë mundësi të zhvillojnë shkathtësitë në një poligon modern dhe me pajisje cilësore, gjë që i bën më konkurrues në tregun e punës“, tha Minahi.
Sipas EVN-së, deri më tani 211 nxënës të kësaj shkolle kanë realizuar praktikën profesionale në qendrat energjetike të Elektrodistribucionit në Gostivar dhe Tetovë.
Ndërkaq, Fisnik Oseku, përgjegjës për Burime Njerëzore dhe Organizim në EVN Maqedoni, theksoi se përmes këtij investimi synohet t’u mundësohet të rinjve të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të përgatiten për karrierë në sektorin energjetik.
Hapja e poligonit në Gostivar është vazhdimësi e investimeve të EVN-së në arsimin praktik. Poligoni i parë i këtij lloji u ndërtua në vitin 2019 në SHMTU „Mihajlo Pupin“ në Shkup. Gostivari Sot

