Përleshje fizike në një lokal në Gostivar, një person përfundon i lënduar

Një përleshje fizike mes dy shtetasve turq ka ndodhur më 31 tetor në një objekt gastronomik në rrugën „Tode Bogdanoski“ në Gostivar, ku njëri prej tyre ka pësuar lëndime.

Sipas njoftimit të Policisë së Gostivarit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:50, pas një fjalosjeje verbale mes O.J.K. (22) dhe S.A.D., të dy shtetas turq me qëndrim të përkohshëm në Gostivar.

„Pas fjalosjes verbale, ka ardhur deri te një përleshje fizike, e cila ka vazhduar edhe jashtë objektit, me ç’rast O.J.K. ka pësuar lëndime“, njofton Policia e Gostivarit.

Për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, të dy personat janë shoqëruar në Stacionin Policor Gostivar.

„Pas dokumentimit të rastit, ndaj tyre do të pasojë parashtresë përkatëse“, bëjnë të ditur nga Policia e Gostivarit. Gostivari Sot