Një automjet i tipit „Ford“ është vjedhur gjatë natës në Gostivar, ndërsa policia ka arrestuar një 28-vjeçar nga ky qytet, nën dyshimin për përfshirje në rast.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 31 tetor 2026, në ora 08:30, në Stacionin Policor Gostivar, K.H. (35) ka raportuar se automjeti i tij i tipit „Ford“, me targa të Gostivarit, ishte marrë nga një person i panjohur.
„Vjedhja ka ndodhur në periudhën nga ora 23:00 e datës 30 tetor deri në ora 07:10 të datës 31 tetor, para shtëpisë së tij në rrugën ‘JNA’ në Gostivar. Çelësat e automjetit ishin lënë në bravën e ndezjes“, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga MPB bëjnë të ditur se po të njëjtën ditë, në ora 10:00, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria M.A. (28) nga Gostivari.
„Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘marrje e automjetit motorik’, e dënueshme sipas nenit 242 të Kodit Penal“, njofton policia.
I dyshuari është ndaluar në stacionin policor, ndërsa po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit. Gostivari Sot

