Komuna e Vrapçishtit po synon të forcojë bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e krizave, me fokus parandalimin e rreziqeve dhe reagimin në kohë ndaj situatave emergjente.
Në këtë drejtim, kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ka zhvilluar një takim pune me delegacionin e Njësisë Rajonale të Qendrës për Menaxhim me Kriza në Gostivar, ku është diskutuar për koordinimin institucional dhe gatishmërinë për përballimin e situatave të jashtëzakonshme.
Delegacioni, i përbërë nga udhëheqësja Jovanka Stavreska, këshilltari për koordinim dhe bashkëpunim Ersin Sulejmani dhe bashkëpunëtorja Safija Selimi, ka zhvilluar takime edhe me drejtues të institucioneve komunale, përfshirë Ndërmarrjen Publike Komunale “Vrapçishti”, Sektorin e Arsimit dhe drejtuesit e shkollave fillore e të mesme.
Diskutimet janë përqendruar te menaxhimi i zjarreve, reagimi në raste emergjente dhe bashkërendimi i institucioneve për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe edukimit të nxënësve. Në këtë kuadër, është shqyrtuar mundësia e organizimit të ligjëratave informuese në shkolla, përmes të cilave të rinjtë do të njihen më nga afër me funksionin e Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe mënyrën e përdorimit të numrit të emergjencës 112.
Nga Komuna e Vrapçishtit bëjnë të ditur se bashkëpunimi ndërinstitucional do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet, me synimin që institucionet të jenë më të përgatitura për parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente.



