Vrapçishti shënon Tetorin Rozë me apel për kontrolle të rregullta dhe mbështetje për gratë

Komuna e Vrapçishtit ka organizuar një panel informues në kuadër të Tetorit Rozë, duke vënë në qendër rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe mbështetjes emocionale për gratë që përballen me këtë sëmundje.

Aktiviteti u mbajt më 27 tetor, në Pallatin e Kulturës “Shota” në Negotinë, ku specialistë të fushës shëndetësore diskutuan për parandalimin, diagnostikimin dhe sfidat psikologjike që shoqërojnë këtë sëmundje.

Onkologu dr. Ilir Ismaili theksoi se diagnostikimi i hershëm mund të ndikojë ndjeshëm në suksesin e trajtimit, duke u bërë thirrje grave që të mos i shtyjnë kontrollet mjekësore dhe të kërkojnë ndihmë profesionale në rast se vërejnë ndryshime në gji. Ai paralajmëroi se frika dhe paragjykimet vazhdojnë të jenë pengesë për paraqitjen me kohë te mjeku.

Sipas Ismailit, në Maqedoninë e Veriut regjistrohen rreth një mijë raste të reja të kancerit të gjirit në vit. Ai sqaroi se jo çdo ndryshim në gji nënkupton domosdoshmërisht kancer, por çdo shqetësim duhet të vlerësohet nga profesionistët shëndetësorë.

Një tjetër dimension i diskutimit ishte shëndeti mendor. Psikologia Zana Miftari Reka theksoi se gratë e diagnostikuara me kancer kanë nevojë jo vetëm për trajtim mjekësor, por edhe për mirëkuptim, dëgjim dhe mbështetje emocionale. Sipas saj, frika është reagim njerëzor dhe askush nuk duhet të reduktohet vetëm në diagnozën që ka marrë.

Në panel morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, dhe kryetari i Këshillit të Komunës, Evzal Osmani, të cilët vlerësuan rëndësinë e aktiviteteve që kontribuojnë në informimin e qytetarëve dhe përkrahjen e grave që përballen me këtë sëmundje.

Mesazhi i aktivitetit ishte se ndërgjegjësimi nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor. Kontrollet e rregullta, reagimi në kohë ndaj ndryshimeve shëndetësore dhe mbështetja e familjes e komunitetit mbeten thelbësore në përballjen me kancerin e gjirit. Gostivari Sot