Kërkimet për personin e zhdukur në Gostivar, ekipet e shpëtimit angazhohen përgjatë lumit Vardar

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS) ka aktivizuar ekipet e saj në terren për kërkimin e një personi të zhdukur, për të cilin ekzistojnë indicie se është parë pranë lumit Vardar, në rajonin e Gostivarit.

Aktivizimi i ekipeve është bërë pas një kërkese zyrtare nga Stacioni Policor i Gostivarit. Në operacionin e kërkim-shpëtimit është i pranishëm edhe zëvendësdrejtori i DMS-së, Kashmir Saliu.

Në aksion janë përfshirë pjesëtarët e Ekipit për Reagim të Shpejtë për shpëtim në ujë, me mbështetje logjistike nga Njësia Rajonale e DMS-së në Gostivar. Ekipet po bashkëpunojnë ngushtë me zyrtarët policorë dhe shërbimet lokale për të gjetur personin e zhdukur.

Kërkimet po zhvillohen përgjatë rrjedhës së lumit Vardar, duke nisur nga pikat kritike në qytet dhe duke vazhduar drejt zonave më poshtë përgjatë lumit.

Sipas DMS-së, pavarësisht kushteve në terren dhe veçorive të shtratit të lumit, ekipet do të vazhdojnë angazhimin deri në përfundimin e operacionit.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të Gostivarit dhe vendbanimeve përreth që, nëse kanë informacione për personin e zhdukur ose vërejnë diçka të dyshimtë përgjatë lumit, ta raportojnë menjëherë në polici, te shërbimet kompetente për mbrojtje dhe shpëtim ose në numrin 112 të Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Deri në përfundimin e kërkimeve, autoritetet nuk kanë bërë të ditur detaje të tjera për rrethanat e zhdukjes. /GS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *