NP „Komunalec“ – Gostivar njofton se rezultatet e analizave laboratorike të pranuara më 19 tetor 2026 konfirmojnë se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit i plotëson standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike për konsum të sigurt.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, analizat janë kryer nga Qendra për Shëndet Publik – Tetovë, Njësia Rajonale Gostivar, ndërsa mostrat janë marrë në dy pika të rrjetit shpërndarës: te çezma publike pranë varrezave të fshatit Banjicë e Poshtme dhe te çezma publike para objektit të Komunës së Gostivarit.
„Mostrat e analizuara dëshmojnë në mënyrë të përsëritur se uji vazhdon të plotësojë të gjitha standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, duke mbetur në përputhje të plotë me normat ligjore për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm“, thuhet në njoftimin e NP „Komunalec“.
Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se, bazuar në parametrat e kontrolluar higjieno-teknikë, mostrat e analizuara janë në përputhje me kriteret e përcaktuara për konsum të sigurt.
„NP ‘Komunalec’ – Gostivar ju siguron se monitorimi dhe kontrolli i cilësisë së ujit do të vazhdojë rregullisht, përmes marrjes së mostrave ditore dhe analizave rigoroze, për të garantuar një furnizim të sigurt për të gjithë qytetarët“, theksohet në njoftim.
Ndërmarrja njofton gjithashtu se, në interes të transparencës dhe informimit të publikut, rezultatet zyrtare të analizave laboratorike janë bashkëngjitur njoftimit për t’u shqyrtuar nga qytetarët. /GS/



