Pas disa ditësh ndalesë për përdorimin e ujit të ujësjellësit për pije, qytetarët e Gostivarit pritet të marrin nesër një lajm pozitiv.

Sipas informacioneve jozyrtare, të premten, më 14 gusht, pritet të njoftohet zyrtarisht heqja e ndalesës për pirjen e ujit nga rrjeti i ujësjellësit të Gostivarit.

ora 14:00 pritet të mbahet konferencë për media, ku drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AHV) pritet të prezantojë rezultatet e analizave të fundit dhe vendimin lidhur me sigurinë e ujit për konsum.

Nëse rezultatet konfirmojnë përmbushjen e standardeve të sigurisë, autoritetet pritet të njoftojnë se uji i ujësjellësit është përsëri i përshtatshëm për pije dhe se ndalesa hiqet.

Ndalesa ishte vendosur pas konstatimit të problemeve me cilësinë e ujit në rrjet, duke bërë që qytetarëve t’u rekomandohej të mos e përdornin ujin për konsum.

Detajet për rezultatet e analizave dhe arsyetimin zyrtar të vendimit pritet të bëhen të ditura gjatë konferencës së nesërme.

Flaka do të përcjellë njoftimin zyrtar dhe zhvillimet lidhur me ujin e pijshëm në Gostivar. Gostivari Sot