Një 26-vjeçar nga Kumanovë është arrestuar nga policia pasi gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij janë gjetur lloje të ndryshme të drogave.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, dje (14.03.2026) nëpunës policorë nga SPB Kumanovë e kanë privuar nga liria personin me iniciale S.Sh. (26).
Gjatë bastisjes së realizuar në shtëpinë e tij me urdhër gjykate, policia ka gjetur dhe konfiskuar marihuanë, kokainë, amfetaminë, tableta ekstazi, një peshore digjitale si dhe kartëmonedha.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejshme, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës penal.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet për rastin janë në vijim.

