Një aksident i rëndë komunikacioni është regjistruar mbrëmjen e 17 shkurtit në fshatin Gradec të Gostivarit, ku një automjet ka dalë nga rruga, duke lënë të lënduar rëndë një 31-vjeçar.
Sipas informacioneve nga SPB Gostivar, rreth orës 19:30 është raportuar se në një rrugë lokale në Gradec, automjeti i tipit “Opel Corsa” me targa të Gostivarit, i drejtuar nga N.A. (30) nga fshati Dobërdoll, ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar pasagjeri Xh.Sh. (31), po ashtu nga Dobërdolli. Lëndimet janë konstatuar në Qendrën Mjekësore të Gostivarit, ku i lënduari po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi vëzhgues i SPB Gostivar, ndërsa me urdhër të prokurorit publik është kryer këqyrja për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkaqet që çuan në daljen e automjetit nga rruga.

