Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lançuar një faqe të re interneti për shitjen e barnave direkt te konsumatorët, të quajtur TrumpRx.org, si pjesë e planit të administratës së tij për uljen e kostove të barnave në SHBA.

Sipas njoftimit zyrtar, platforma do t’u mundësojë pacientëve amerikanë të blejnë produkte të caktuara farmaceutike me çmime të reduktuara, të negociuara drejtpërdrejt nga qeveria federale me kompanitë farmaceutike.

Çmimet do të bien ndjeshëm”, deklaroi Trump, duke përmendur si shembuj barna të përdorura gjerësisht si Ozempic dhe insulina e prodhuar nga kompania ‘Eli Lilly’.

Presidenti amerikan theksoi se marrëveshjet e arritura me gjigantët farmaceutikë nuk përfshijnë vetëm uljen e çmimeve, por edhe angazhime për investime të reja në Shtetet e Bashkuara, me qëllim forcimin e prodhimit vendas dhe krijimin e vendeve të punës.

Administrata amerikane e paraqet këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së qasjes së qytetarëve në barna më të përballueshme, në një kohë kur kostoja e trajtimeve mjekësore mbetet një nga shqetësimet kryesore për familjet amerikane.