Mazda mund të mos e prezantojë automjetin e saj të parë elektrik të dedikuar deri në vitin 2029, pas një vonese të heshtur që është konfirmuar nga raportime mediatike në Japoni. Sipas burimeve, kompania japoneze ka shtyrë planet e saj për shkak të ndryshimeve në strategjinë e tregut dhe kërkesës më të ulët se sa ishte parashikuar për automjetet elektrike.
Mediat prestigjioze Nikkei dhe Nikkan Jidosha raportojnë se prodhimi i modelit elektrik është shtyrë për të paktën dy vjet, ndërsa Mazda po i jep prioritet zhvillimit të modeleve hibride, të cilat aktualisht po shënojnë interes më të madh nga konsumatorët.
Edhe pse Mazda nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar, një zëdhënës i kompanisë ka pranuar se planet për automjetin elektrik janë ende në fazë rishikimi, duke theksuar se koha e lançimit do të varet nga rregulloret ndërkombëtare, infrastruktura dhe nevojat reale të tregut.
Kjo situatë lë të hapur mundësinë që modeli i shumëpritur elektrik të mos prezantohet as në vitin 2027, ashtu siç ishte parashikuar më herët.
Ndërkohë, prototipi i automjetit elektrik të Mazda-s është parë gjatë testimeve në Kaliforni, i kamufluar me karrocerinë e modeleve CX-70 ose CX-90. Automjeti pritet të ndërtohet mbi platformën Skyactiv EV Scalable Architecture, e prezantuar që në vitin 2021, por që ende nuk ka hyrë në prodhim masiv.

