Në Xhaminë e Vjetër të fshatit Forinë, më 23 tetor 2026, u mbajt solemnitet fetar me rastin e përfundimit të hatmeve të Kur’anit Famëlartë nga 25 nxënës të mektebit të xhamive të fshatit, të cilët ndjekin mësim-besimin islam te mualimja Gjilasfije Fetai Idrizi.
Në këtë manifestim morën pjesë xhemati, familjarë, mysafirë të shumtë, imamë të rrethit të Gostivarit, si dhe një delegacion i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. Në delegacion ishte edhe Muftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Në fjalën e tij, Muftiu i Gostivarit përshëndeti praninë e Reisul Ulemasë, imamëve dhe përfaqësuesve të këshillit të xhamisë, duke i përgëzuar për punimet e realizuara në objektin fetar. Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e mektebit dhe rolin e tij në zhvillimin e mësim-besimit islam te fëmijët.
Fjalën e rastit e mbajti Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, i cili theksoi rëndësinë e mektebeve si vende ku fëmijët mësojnë bazat e Islamit dhe leximin e Kur’anit Famëlartë sipas planprogramit përkatës.
Ai nënvizoi se edukimi fetar në mekteb mbështetet në bashkëpunimin e tre faktorëve kryesorë: mualimit, nxënësit dhe prindit, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si të rëndësishëm për përvetësimin e njohurive fetare.
Duanë e hatmeve e bëri Mr. Eljesa ef. Asani, drejtor i Institutit për Hifz dhe Bukurlexim të Kur’anit pranë Muftinisë së BFI-së në Gostivar. Ndërsa moderimin e programit dhe hutben e xhumasë e mbajti referenti fetaro-arsimor, hfz. Jusuf ef. Xheladini.
Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tyre, imamëve, muezinit dhe anëtarëve të këshillit të xhamisë iu ndanë mirënjohje.
Në përfundim të solemnitetit, Reisul Ulema Shaqir ef. Fetahu dhe Muftiu i Gostivarit, Sabahudin ef. Zendeli, shpërndanë diplomat për 25 nxënësit dhe nxënëset që përfunduan hatmet e Kur’anit Famëlartë në këtë solemnitet.
Manifestimi në Forinë shënoi një moment të rëndësishëm për nxënësit dhe familjet e tyre, duke vënë në pah rolin e mektebit në edukimin fetar dhe përcjelljen e njohurive islame te brezat e rinj. /GS/



