Falja e namazit të Fitër Bajramit është mbajtur në orët e hershme të mëngjesit edhe në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, ku mijëra besimtarë u mblodhën për të shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Oborri dhe hapësirat përreth xhamisë në Prishtina u mbushën me besimtarë të të gjitha moshave, të cilët me përkushtim morën pjesë në faljen e namazit të Bajramit, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë Hytbes së Bajramit, Myftiu Naim Tërnava përcolli mesazhe mbi rëndësinë e ruajtjes së vlerave të Ramazanit. Ai theksoi solidaritetin, ndihmën ndaj atyre në nevojë dhe forcimin e lidhjeve familjare e shoqërore.
Në fjalën e tij, Tërnava u bëri thirrje besimtarëve që të vazhdojnë rrugën e mirësisë dhe përkushtimit edhe pas përfundimit të muajit të agjërimit, duke e kthyer këtë periudhë në një reflektim të vazhdueshëm në jetën e përditshme.

